Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër. Burime bëjnë të ditur se Ibrahim Lici është i dyshuari kryesor për vrasjen e 32-vjeçarit, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim.

Shtetasi Endri Mustafa, 32 vjeç, është gjetur i vrarë në zonën periferike të Livadheve në Shkodër, në breg të liqenit.
Burime nga Policia thanë se 32-vjeçari ka 5 plumba në trup, mes të cilëve një edhe në gojë. Endri Mustafa rezultonte prej tri ditësh i zhdukur.
Mbrëmjen e 15 majit ai doli nga banesa e tij rreth orës 22:00, pas një mesazhi që kishte marrë në telefon, por që nga ai moment nuk është kthyer më në shtëpi. Familjarët kanë krijuar dyshime pasi 32-vjeçari nuk përgjigjej në telefon dhe ka qenë nëna e tij që ka bërë një denoncim në Polici.
Kërkimet kanë vijuar prej tri ditësh. Mbrëmë në Shkodër kanë ardhur edhe forcat RENEA, por nuk kanë arritur që ta gjejnë.
