Kronikë

Vrasja në Shkodër, 35 ditë burg për të riun/ Çfarë ndodhi në seancë me Eduard Kësollën

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për të riun i arrestuar dhe i akuzuar nga Policia si autori i dyshuar i vrasjes së përgjegjësit të Ujësjellësit të Njësisë Rrethina, Prek Tonaj.

Ndaj, Eduard Kësollës, është caktuar masa e sigurisë burg me afat 35-ditor, periudhë në të cilën Gjykata i kërkon Policisë dhe Prokurorisë që të sjellin prova për përfshirjen e të riut në vrasje.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar gjatë së mërkurës, Kësolla ka heshtur, ndërsa ka folur vetëm avokati i tij.

Ky i fundit ka kërkuar që të sillen prova që implikojnë 30-vjeçarin në vrasje. Mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie pasi sipas tyre, nuk ka asnjë provë që e lidh Kësollan me ekzekutimin e ish-punonjësit të Ujësjellësit. Vetë 30-vjeçari ka mohuar më herët që të ketë lidhje me vrasjen.

“Më keni arrestuar kot, nuk e kam vrarë unë Prek Tonajn!”, është shprehur Kësolla para hetuesve. Shtetasi Prek Tonaj u qëllua me automatik në ambientet e një lokali në fshatin Grudë.

Personi i armatosur dhe i maskuar, e qëlloi me të paktën 5 plumba, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë, duke nisur hetimet paraprake. Sipas burimeve, dyshohet se vrasja e 47-vjeçarit, ka ardhur për shkak të gjakmarrjes.

Menjëherë pas vrasjes, të dyshuarit kryesorë nga Policia ishin familja Kësolla nga Dukagjini, por nuk u përjashtua edhe ndonjë pistë tjetër, sepse familja Tonaj ka pasur dy gjaqe.

Autori kur është futur në lokal mësohet se u ka thënë personave të tjerë, me të cilët po qëndronte viktima “mos lëvizni se ju vrava” dhe iu ka kërkuar atyre që të spostohen.

Më pas, Prek Tonajt i është drejtuar me fjalët: “A e di se na ke borxh” dhe ka qëlluar ndaj tij, duke i marrë jetën.

Pasi qëlloi për vdekje shënjestrën, autori i maskuar u largua nga vendi i ngjarjes. Policia tha se ai është 30-vjeçari, Eduar Kësolla, i cili dyshohet se ka marrë gjakun e babait të tij të vrarë në vitin 1996, kur ai ishte vetëm 4 vjeç.

Viktima e mbrëmjes të së dielës është vrasja e tretë brenda familjes Tonaj. Historia nisi në komunizëm, kur Pal Kësolla, pas një debati në burg, vrau shtetasin Nikoll Tonaj, vëllai i Prekës. Në vitin 1996, familja Tonaj merr gjakun e vëllait duke vrarë shtetasin Pal Kësolla.

Image
Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top