Gjykata e Tiranës ka vendosur më 25 maj 2021, sekuestro preventive ndaj pasurive të 31-vjeçarit Vasil Duraku, pasuri me vlerë mbi 500 mijë dollarë: dy dyqane, dy apartamente dhe një garazh.

Ky person është i arrestuar në Angli për prodhim dhe shitje kanabisi dhe pastrim të parave. Policia e Shtetit njoftoi se gjithçka u krye në kuadrin e operacionit policor të koduar si “Plantacioni”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
U vendos “sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 500.000 dollarë, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit.”
Njoftimi i plotë:
Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Plantacioni”.
Si rezultat, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, datë 25 maj 2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetasit V. D., 31 vjeç, i cili aktualisht është i arrestuar në Angli, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.
Ky shtetas është arrestuar në Angli, në një plantacion bimësh kanabisi, të cilën e prodhonte në sera dhe pastaj e tregtonte duke arritur fitime të mëdha.
Këtij shtetasi, pas ndalimit, gjatë kontrollit në banesë i është gjetur dhe sekuestruar shuma 363.000 paund britanik.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 500.000 dollarë, konkretisht: një njësi tregtare; dy apartamente; 1 garazh.
Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
© SYRI.net
