Policia e Durrësit ka pasur lëvizje gjithë natën bashkë me Forcat e Posaçme “Shqiponja” duke kapur ku një shpërndarës droge, ca më tej një me dy thika, një roje që vidhte vetë, dy hajdutë hidrosanitaresh ( kushedi pse vetëm këto) po dhe një burrë që rrihte gruan me fëmijën.

Shpërndarësi i drogës u kap në lagjen nr.1 të Durrës, duke ngarë një “Benz”. Policia e kontrolloi shoferin A.O, 25 vjeç, banor i zonës, por i gjetën në të edhe kokainë, edhe kanabis. I kishte të dyja, ndaj i vuri prangat dhe e dërgoi në rajon.
Ca më tutje, në lagjen nr.14, policët ndaluan një BMW. Shoferi ishte 36 vjeç, me iniciale Sh.B, banor i Durrësit. Ai nuk kishte pasur gjë me rrezik me vete, vetëm dy thika. Edhe atë e arrestuan.
Po ashtu, në bashkëpunim me komisariatin e Shijakut, specialitët e Durrësit panë se një shtëpi e A.N në lagjen nr.18 po vidhej. Hajdutë interesantë në këtë lagje: R Z., 37 vjeç dhe G. Ll., 36 vjeç, të dy nga Durrësi po vidhnin vetëm pajisjet hidrosanitare në atë banesë. Kushedi pse.
Në duart e Policisë gjatë natës ra dhe një roje. F.V, 29 vjeç nga Shijaku, që duhej të ruante një fabrikë në Karpen, në fakt ishte i zënë me diçka tjetër: u vidhte naftën makinave që duhej të ruante.
Nuk i mungoi kësaj nate arrestimesh edhe një burrë që rrihte gruan me të cilën bashkëjetonte, po dhe fëmijën e saj. L.R, 29 vjeç u arrestua pasi rrahu edhe bashkëjetuesen, edhe vajzën e saj.
Në Policinë e Durrësit përfunduan edhe shoferë të dehur si A.C, 28 vjeç dhe F.M, 50 vjeç; apo si S.K, 28 vjeç pa patentë. Dosjet u bënë tufë dhe iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
