Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), ka dalë me reagim zyrtar në lidhje me ekzekutimin e Everest Cakës, pak ditë më parë në Elbasan, ngjarje në të cilën mbeti e plagosur dhe bashkëshortja e tij Silvana Caka.

Nga ana e SHÇBA mohohet që të kenë nisur hetime për Policinë e Elbasanit, lidhur me ngjarjen.
“SHÇBA sqaron opinionin publik dhe mediat për veprimet e Policisë së Elbasanit pas ngjarjes më datë 11.05.2021, ku mbeti i vrarë shtetasi E.C. dhe u plagos shtetasja S.C.
Në lidhje me një lajm të publikuar në disa media, ku thuhet se Policia e Elbasanit ka reaguar me vonesë pas sinjalizimit në sallën operative për ngjarjen, SHÇBA sqaron se nuk ka asnjë hetim për Policinë e Elbasanit dhe këto pretendime nuk janë të vërteta.
Nga konstatimet e SHÇBA, veprimet e Policisë së Elbasanit kanë qenë konform procedurave stadarde, duke reaguar në kohë për ngritjen e postblloqeve dhe mbledhjen e provave në vendngjarje, në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje kriminale,” thuhet në reagim.
Everest Çaka, i cili u ekzekutua ne nje prite mafioze, në lagjen “Skënderbej”, dyshohet të jetë vrarë pasi kishte marrë drejtimin e pazareve të drogës në Europë pas vrasjes mafioze të Arjan Spahiut në muajin nëntor të vitit 2020 në Belgjikë. Urdhri për ekzekutimin e 41-vjeçarit, dyshohet të ketë ardhur nga jashtë Shqipërisë.
