Art & Kulturë

Si e ndryshuan Beatles kulturën amerikane

Deri në 7 shkurt të vitit 1964, Britania e Madhe njihej për shumë gjëra: çajin, flotën e kompletuar, rrobaqepësinë mjeshtërore, Mbretëreshën.

Megjithatë, “eksporti i muzikës emocionuese,” nuk kishte vend kryesor në këtë listë. E gjithë kjo ndryshoi kur katër muzikantë të rinj anglezë nga Liverpool, u ulën në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy, në New York dhe shkaktuan një shpërthim kulturor, i cili do të jehonte për shumë vite me radhë. Po i referohem, sigurisht, mbërritjes madhështore në Amerikë, të grupit unik të cilin të gjithë e kemi njohur dhe e duam, atë grup të mahnitshëm që e ndryshoi muzikën amerikane përgjithmonë: Beqarët!

Po, unë bëj edhe shaka. Beqarët janë një grup i mrekullueshëm (në janarin e vitit 1964, ata patën një këngë shumë të suksesshme dhe janë edhe sot aktivë), por ata nuk janë si Beatles. Asnjë grup nuk mund të jetë dhe asnjë grup nuk ka për t’u bërë ndonjëherë. Ishin Beatles ata që u ulën në Amerikë në shkurt të vitit 1964, për të mos u larguar më kurrë.

Është e vështirë të nënvlerësohet ndikimi i Beatles në rrugën e muzikës pop në Amerikë. Si individë të tjerë të caktuar në historinë e pop-it amerikan, përfshirë Benny Goodman, Frank Sinatra dhe Elvis Presley, ata nxitën një zjarr të hershëm, një periudhë “manie” ku adoleshentët shprehnin entuziazmin e tyre në grupe të mëdha në koncertet dhe shfaqjet publike. Por Beatles, njësoj si paraardhësit e tyre (madje edhe më shumë), kaluan përtej kësaj faze dhe u bënë një forcë kulturore, ku kompozimet dhe sjelljet e tyre po ndryshonin mënyrën se si muzika pop përjetohej nga një numër i madh njerëzish. Muzika e Beatles, duke rastisur në një nga periudhat më të trazuara të historisë së Amerikës, reflektoi atë epokë, madje edhe e kapërceu dhe ditët e sotme, muzika e tyre mbetet e freskët për çdo brez pasardhës që e zbulon.
Këtu kemi një vështrim të këndshëm mbi ndikimin që ata patën në terrenin kulturor amerikan. Ja shtatë mënyra se si Beatles e ndryshuan përgjithmonë Amerikën.

Beatles rritën standardin e cilësisë së idhullit për adoleshentët

Përpara se Beatles të mbërrinin në Amerikë, skena e muzikës pop mbijetonte midis sharmit të një grushti këngëtarësh me paraqitje të rregullt e me dhëmbë si rruaza të bardha, një pjesë e mirë prej tyre nga Philadelphia dhe muzika e të cilëve ishte aq e fabrikuar, sa imazhi i tyre si fqinj të mirë. Këta djem ishin të sjellshëm dhe në disa raste edhe kishin talent, por karriera e tyre drejtohej nga producentë dhe njerëz të industrisë, të cilët ndërronin marshet e makinerisë që krijonte këngët e suksesshme, ajo çfarë muzika pop ishte bërë në fillim të viteve ’60.
Të analizosh shijen e rinisë amerikane është një përpjekje e pakuptimtë (fakti që në vitet ’50, Pat Boone konkurronte dhe me raste e mposhte Elvis Presley-n në sondazhet e popullaritetit për të rinjtë, është thjesht dokument), por Beatles, ishin me siguri një frymë e re në një terren të mërzitshëm të idhujve të adoleshentëve. Theksi i tyre i Liverpool-it dhe paraqitja e pazakontë jo vetëm i bënte tmerrësisht ekzotikë, por ata ishin si katër idhuj për adoleshentët, të bashkuar në një pako të shndritshme. Ishte Paul, i lezetshëm dhe i adhurueshëm; John, i zgjuar dhe pak i rrezikshëm; George, i urtë dhe i ndrojtur; dhe Ringo, argëtues dhe qesharak. Kishte diçka për të gjitha shijet e adoleshentëve dhe uniformiteti i prezantimit të tyre, “çuna, të gjithë për një dhe një për të gjithë,” i bënte edhe më tërheqës: stilet e ngjashme të flokëve, kostumet e mbërthyera pa kollare dhe çizmet me majë dhe takë kubaneze.

Beatles e bënë rebelizmin diçka të kohës në tendencën kulturore
Edhe pse sjellja rebele dhe kundërautoritare ka një traditë të vjetër në kulturën amerikane, Beatles u shfaqën në kohën kur kjo nuk ishte përhapur ende mirë. Në fakt, performuesit si komediani Lenny Bruce, i cili u persekutua për thyerjen e rregullave, përjashtoheshin nga trendi amerikan pasi krijonin telashe. Argëtimi në Amerikë u përpoq të ishte një industri të cilën njerëzit do ta respektonin, duke sjellë performues të parrezikshëm, njësoj siç Detroit prodhonte makina të sigurta.

Beatles ishin më të ndërgjegjshëm se aspirantët e tjerë në llotarinë e industrisë pop. Ata kuptuan një farë absurditeti në aktivitetin e kësaj muzike dhe dukeshin të vendosur të ndiqnin rrugën e tyre. Kjo sjellje binte gjithmonë në sy kur përballeshin me gazetarët. Gjatë këtyre momenteve, ata ua kthenin me qëllim të mirë pyetjet gazetarëve ose u përgjigjeshin me fjalë të kota. Beatles e bënë të qartë se ishin mendimtarë të pavarur, të cilët do të bënin atë që donin, pavarësisht se çfarë mendonte bota.

Beatles i bënë të pranueshëm flokët e gjatë për burrat, madje edhe të dëshirueshëm.
Tani duket qesharake, por përpara se Beatles të vinin në Amerikë, “flokëgjatë” ishte një term i cili u drejtohej një grupi të vogël njerëzish, shumica prej tyre artistë. “Flokëgjatë” ishte për shembull një referim shpërfillës ndaj disa muzikantëve të caktuar klasikë, ose Bitnikëve dhe Bohemianëve të tjerë. Flokët e gjatë shiheshin si diçka thelbësore e një temperamenti artistik të pazakontë, ndoshta me përjashtim të veçantë të burrave fetarë nga rajone të huaja, të cilët i rrisnin flokët dhe mjekrat me devotshmëri.

Më pas u shfaqën Beatles me flokët e tyre të “çrregullt.” Shumica e shkrimeve në shtyp të asaj kohe, merreshin me stilin e tyre të flokëve, i cili tani do të konsiderohej i rregullt dhe i pastër. Në një rast, një gazetar i cili i pyeti “Nga i gjetët këto stile flokësh…?” u ndërpre në çast nga John Lennon, i cili ia ktheu me ironi, “Po thua për flokët e shpupurishur.” Njësoj si uniformat e skenës, stilet e flokëve të Beatles ishin një produkt i origjinalitetit gjerman dhe vinte nga komuniteti artistik që mbështeti Beatles në Hamburg. Sapo u bë i njohur, ky stil flokësh mori identitet të vetin kur paruke të Beatles nisën të prodhoheshin dhe komedianët në emisionet televizive visheshin si ata për të marrë të qeshura nga publiku. Jo për të përfituar nga kjo gjë e pakuptimtë, Beatles panë se si llogaritë e tyre bankare po mbusheshin, megjithëse nuk kaloi shumë para se ky stil i çrregullt flokësh të kalonte në vend të dytë.
Beatles na trullosën

Gjatë viteve ’60, Beatles ishin ndër grupet e para pop dhe me siguri më ndikuesit, në infektimin e rrymës popullore në Amerikë, me virusin e halucinacioneve. Kur Beatles nisën të këndonin për “fikjen e mendjes,” LSD ishte ende një drogë e ligjshme në Amerikë, por pas disa vitesh do të bëhej e jashtëligjshme, kryesisht për shkak të imazhit të mirë që mori.

Treguesi i parë se Beatles kishin hyrë në një fazë të re zbulimi, ishte kënga e fundit në albumin e tyre të vitit 1966, Revolveri. Teksti i këngës “E nesërmja nuk di kurrë,” u riprodhua nga një libër i titulluar “Përvoja e halucinacionit”: Një manual i bazuar në librin tibetian të të vdekurve, me bashkautorë përkrahësin e LSD-së, Dr. Timothy Leary, gurunë Ram Dass dhe akademikun Ralph Metzner. “E nesërmja nuk di kurrë”, njësoj si gjuha e librit, kishte një tekst abstrakt të përzier me një nuancë shpirtërore, ndërsa muzika i përshtatej tonit të tyre – një tingull muzikor indian ndërthurej me një motiv hipnotizues e të vazhdueshëm baterie, i cili dukej sikur do të ngatërrohej në çdo përsëritje dhe efekte të ndryshme si shirita kasete të kthyera mbrapsht, krijonin një përzierje të mbinatyrshme. Zëri i John Lennon u përpunua që të tingëllonte i largët dhe si vorbull. E qeshura e Paul McCartney u luajt së prapthi dhe u përsërit pa ndërprerje duke tingëlluar si një tufë pulëbardhash.
Beatles zhvilluan videot muzikore

Kur MTV debutoi për herë të parë në vitin 1981, Amerika u bë shteti i parë që kishte një stacion televiziv vetëm për muzikën. Në atë kohë, rrjeti televiziv kishte qëllim shfaqjen e videove muzikore, të cilat pas një farë kohe, do të bëheshin po aq popullore sa vetë këngët, kur artistët si Michael Jackson dhe Peter Gabriel nisën të sillnin gjëra të reja. Videoja muzikore u kthye në një simbol të viteve ’80, por rrënjët i kishte më të hershme. Siç mund ta merrni me mend, grupi Fab Four e kishte nisur këtë shumë herët.

Beatles e ndryshuan të gjithë këtë, me filmin e tyre të parë, Nata e një dite të vështirë. Ky film përmban disa sekuenca ku këngët luhen të plota dhe shërbejnë si shprehje e muzikës, por nuk e zgjasin ngjarjen e filmit. Më e famshmja prej tyre është sekuenca e këngës “Nuk më blen dot dashuri,” ku Beatles shfaqen duke kërcyer përreth një fushe. Montimi është përmbledhës, filmi shpejtohet dhe ngadalësohet sipas lëvizjeve të tyre dhe ka një përdorim origjinal të fotografisë me kënd të ulët dhe nga lart. “Nuk më blen dot dashuri,” në thelb, është një video muzikore.
Meqë Beatles i kishin ndërprerë koncertet, këto filma promocionalë morën rëndësi. Përpara se karrierës së tyre t’i vinte fundi, ata bënë disa filma të tjerë për televizionet dhe kinematë. Përgjatë viteve ’70, shumë artistë (përfshi George Harrison dhe Paul McCartney) vazhduan të prodhonin filma të tillë, deri sa MTV erdhi dhe videot u kthyen në mjet standard për promovimin e këngëve.
Beatles ndryshuan mënyrën se si e përjetojmë muzikën

Ne jetojmë tani në epokën e shkarkimit të këngëve, ku dëgjuesit kanë më shumë gjasa t’i blejnë në internet, sesa në dyqan dhe kanë më shumë gjasa të blejnë një këngë të suksesshme, sesa një album të tërë. Në disa mënyra, kjo metodë për të blerë këngët, e ka origjinën përpara se të vinin Beatles, kur të gjitha burimet, përqendroheshin në kompozimin e një kënge të suksesshme. Kënga regjistrohej, publikohej më vete me një shpejtësi luajtje prej 78 ose 45 rrotullimesh në minutë dhe njerëzit, ose e blinin, ose nuk e blinin. Nëse e blinin, bëhej një sukses. Në ditët e hershme, Beatles përparonin pasi këngët e tyre ishin gati gjithmonë të suksesshme. Në prill të vitit 1964, pothuajse dy muaj pas mbërritjes në Amerikë, këngët e Beatles zunë pesë pozicionet e para në renditjen e 100 këngëve më të mira të Billboard.

Kjo praktikë vazhdoi deri tek Rreshteri Pepper në vitin 1967, kur Beatles më në fund, u siguruan që të dyja kompanitë diskografike, të publikonin të njëjtin version të albumit duke ruajtur kështu, vizionin e tyre. Një nga arsyet që albumi Rreshteri Pepper ka privilegjin të jetë LP (pllakë me të gjitha këngët e grupit), është se u përjetua njësoj në të gjithë botën. Publikimet e mëpasshme të Beatles, të konsideruara si shembuj tipikë të albumeve të shkëlqyera të muzikës pop, ndoqën po këtë mënyrë. Në rastin e albumit Abbey Road, edhe pse prej tij u publikuan këngë individuale, konsiderohet përgjithësisht si diçka e plotë e që mund të shijohet më mirë ashtu. Edhe pse ideja e këngëve të suksesshme nuk u zhduk, disa grupe të mëvonshme në vitet ’60 dhe ’70, të frymëzuar nga metoda e Beatles, u përqendruan aq shumë në prezantimin e albumeve, saqë as nuk e morën mundimin të publikonin këngë individuale.

Pavarësisht faktit se disa të çmendur pas Beatles i konsideronin si thertore, shumë adhurues amerikanë ndiejnë ende një lidhje sentimentale me versionet e hershme amerikane të albumeve të Beatles. Tani, në 50 albumet më të mira në Billboard, renditet një set albumesh amerikanë të Beatles. Mbi 50 vjet pasi mbërritën në Amerikë, Beatles mund të përjetohen sërish, ashtu siç amerikanët i njohën për herë të parë – me të gjitha këngët të përfshira!

Përktheu nga anglishtja David Hudhri

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top