Lajme

Rriten rastet e reja e fatalitetet nga COVID-19, si do vijohet me vaksinimin? Me fillimin e shkollës, universitetet dhe konviktet do të kthehen në…

Me fillimin e vitit të ri shkollor, universitetet dhe konviktet do të kthehen në qendra vaksinimi, një përpjekje kjo për t’i shkuar deri në fund planit për vaksinimin e detyrueshëm të arsimtarëve dhe studentëve.

Deri më tani, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, janë vaksinuar me të dyja dozat anti-COVID vetëm 60 për qind e arsimtarëve, ndërsa synohet që përgjatë këtij muaji, që është edhe muaji i hapur për vaksinimet plus 18 vjeç, mbulesa vaksinale të rritet.

Ndërkohë nuk ka ende të dhëna mbi interesin e treguar nga studentët në javën e parë të shtatorit. Ajo që dihet tashmë është që pas këtij muaji, në çdo universitet të vendit do të ketë pika të posaçme për vaksinimin.

“Dihet që vaksinimi është edhe një kusht për të qenë sa më të lirshëm në auditor. Ne kemi vendosur që me të filluar edhe shkollat, të spostohemi edhe në universitete, në secilin prej universiteteve, sipas një kalendari që është duke organizuar çdo fakultet për të bërë vaksinimin për të gjithë ata studentë apo edhe pedagogë që ende nuk e kanë bërë. Për pedagogët dhe mësuesit kemi vendosur edhe afatin që është 30 shtatori, në mënyrë që ta kryejmë këtë proces. Janë më shumë se 60% e mësuesve që i kanë bërë tashmë të dyja dozat, pra, janë vaksinuar plotësisht. Ndërkohë që presim edhe këto ditë dhe jam e bindur që brenda shtatorit ne do të arrijmë rezultate shumë të mira për sa i përket mbulesës vaksinale te kategoria e mësuesve dhe pedagogëve, por edhe e edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve pasi edhe ato janë në fokus të punës sonë të përditshme për sa i përket vaksinimit”, tha Manastirliu.

Por, përveç mësuesve, mjekëve dhe studentëve, vaksinimi i detyruar pritet të jetë edhe për profesionistët e tjerë të shëndetësisë siç janë farmacistët dhe laborantët, si edhe për punonjësit e Policisë.

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare, janë kryer në total 1,539,232 vaksinime, prej të cilave 673,951 qytetarë i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës.

SITUATA

Lidhur me situatën epidemiologjike në vendin tonë, rastet e reja me koronavirus shënuan për të 11-ën javë radhazi një tjetër rritje të ndjeshme. Viktimat u rritën gjithashtu, sikundër dhe numri i pacientëve në spitale, përfshirë personat në gjendje të rëndë.

Të dhënat e përpunuara nga “Zëri i Amerikës” tregojnë se në total, gjatë javës së fundit, 31 gusht-6 shtator, u regjistruan 6166 të infektuar rishtazi, me një rritje prej 11.8 për qind krahasuar me javën pararendëse, ose mbi 600 të prekur më shumë.

Bëhet fjalë për nivelin më të lartë që prej fundit të muajit shkurt, kur pandemia kishte dhënë shenjat e rënies, pas pikut që shënoi në atë periudhë. Dita me nivelin më të lartë ka qenë e hëna e kaluar (31 gusht) me 1054 raste.

Edhe numri i rasteve aktive ka kaluar mbi 12 mijë. Në përkeqësim edhe situata në spitale. Autoritet u detyruan që pak ditë më parë të vënë në dispozicion, përveç Spitalit Infektiv, edhe strukturat e COVID 3.

Deri të hënën numëroheshin 147 pacientë të shtruar, numri më i lartë që nga 26 prilli, dhe gati 50 për qind më shumë se një javë më parë. Edhe rastet që paraqiten në gjendje të rëndë e që kërkojnë trajtim në terapi intensive janë shtuar.

Në 24 orët e fundit ishin 17 persona, ndërkohë që gjatë javës numri i tyre ka shkuar deri në 19 të sëmurë rëndë. Kjo situatë është reflektuar dhe në rritjen e viktimave.

Në total, gjatë javës së fundit u regjistruan 24 humbje jete, nga 17 të një jave më parë. Bëhet fjalë për kuotën më të lartë javore që nga fundi i muajit prill.

NË 24 ORË

Sa i takon situatës për 24 orët e kaluara, janë konfirmuar pozitivë 740 qytetarë, ndërsa në total numri i të infektuarve aktivë ka shkuar në 12,129 persona.

Në spitalet COVID, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë, po marrin trajtim 152 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar.

Sëmundja u ka kushtuar jetën 4 pacientëve, mes të cilëve një 54-vjeçari nga Tiranë.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID-19 4 qytetarë: dy qytetarë nga Tirana, të moshave 54 dhe 87 vjeç, një qytetar 64 vjeç nga Kavaja dhe një qytetare 69 vjeç nga Fieri”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top