Opinion

Publikohet studimi për Vjosën, si do të zhvillohet parku në dy faza

Parku Kombëtar në Luginën e Vjosës do të jetë përveçse qendra më e rëndësishme e biodiversitetit, edhe një nga rajonet me një qasje të re në turizmin e qëndrueshëm, kryesisht agroturizëm dhe ekoturizëm.

Të paktën ky është vizioni që shpaloset në dokumentet e publikuara së fundmi në funksion të fillimit të konsultimeve me tre bashki, grupet e komunitetit dhe palët e interesit.

Studimi i fizibilitetit i hartuar në funksion të shpalljes së Vjosës Park Kombëtar nënvizon se zhvillimi do të shtrihet në dy faza, ku e para nis këtë vit.

Qeveria shqiptare është angazhuar për krijimin Parkut Kombëtar të Luginës së Vjosës që do të përfshijë dhe mbrojë të gjithë rrjedhën e lumit Vjosa nga kufiri grek deri në detin Adriatik, duke përfshirë degët e tij me rrjedhje të lirë.

“Parku do të krijohet në dy faza. Ky dokument përmban rezultatet e fazës I, që përfshin të gjithë gjatësinë e lumit Vjosa në Shqipëri dhe tre kryesore degët: Drino, duke përfshirë Kardhiqin, Bënçën dhe Shushicën.

Në vitet në vijim, të gjithë lumenjtë dhe përrenjtë me rrjedhje të lirë, si dhe një zonë më e madhe që rrethon lumenjtë, do të përfshihen për të monitoruar ekosistemet e rëndësishme që derdhen në lumë dhe ndikojnë shëndetin dhe biodiversitetin ose janë të ndikuara nga lumi, të tilla si grykëderdhja”, thuhet në dokument.

I njëjti sjell në vëmendje kërcënimet kryesore për zonën të renditura si : urbanizimi, minierat dhe guroret, hidrocentralet, industria dhe bujqësia.

Objektivat kryesorë të kësaj nisme për shpalljen e Vjosës park kombëtar janë përmbledhur në tre pika.

Së pari ruajtja e integritetit ekologjik të standardeve zonës së mbrojtur të Vjosës të të Kategorisë II të IUCN.

Së dyti ofrimi i aktiviteteve rekreative dhe përvojave kulturore për të lidhur njerëzit me natyrën dhe me kulturën shqiptare

Së treti promovimi i bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët për një zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe mbrojtjen e këtij parku.

Dokumenti ndalet në fazën e parë të zhvillimit duke nënvizuar se parku do të kërkojë investime që nga stafi që do të vendoset në këtë rajon e deri tek lehtësimi i infrastrukturës.

Për secilin aspekt janë tre skenarë që analizohen dhe që ndjekin një ecuri të projektit deri në vitin 2028. Ndikimet e vlerësuara nga palët e interesit në të gjitha rastet cilësohen si pozitivë.

Kostoja minimale vjetore për këtë projekt cilësohet si 77 mijë euro por nëse do të ketë investime infrastrukture ato në vite të caktuara mund të kërkojnë 3 milionë euro(e specifikuar për zhvillimin potencial në vitin 2026).

Lumi Vjosa-Aoös rrjedh për 272 km nga burimet e tij në Parkun Kombëtar të Pindit në Greqi deri në grykën e saj në Shqipërinë e Jugut, ku derdhet në detin Adriatik.

I gjithë pellgu ujëmbledhës mbulon 6,704 km2, nga të cilat 4,365 km2 janë në Shqipëri.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top