Policia e Durrësit ka zbardhur dhe dokumentuar plagosjen e 25-vjeçarit, të ndodhur dy ditë më parë.

Policia ka arrestuar autorin e plagosjes, shtetasin Hamdi Llana, i cili siç raportohet rezulton me precedente penalë te meparshëm.
31-vjeçari ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ilges Spaneshi, ndërsa edhe më herët është dënuar për dy plagosje. Më 2015, ai është dënuar me 2 vite e 18 ditë burg për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, ndërsa më 2014, pas një konflikti për motive te dobëta ka goditur me thikë 33-vjeçarin me iniciale N.B dhe 26-vjeçarin me iniciale F.H., duke ju shkaktuar dëmtime serioze për jetën.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 08.08.2021, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 25-vjeçar.
Kapet dhe ndalohet autori i kësaj ngjarje, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur ne tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore profesionale, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit H. Ll., 31 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, më datë 08.08.2021, në orën 23:40, në lagjen nr.18, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin I. S., 25 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë. 25-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
