Aksidentet e rënda me numër të lartë viktimash të ditëve të fundit dhe paralajmërimi nga kryeministri për një ndryshim në nivelet e larta të Policisë, kanë detyruar krerët e lartë të Policisë së Shtetit të angazhohen për kryerjen e detyrave të tyre.

Policia e Shtetit njoftoi pas mesnate se siguria rrugore ka bërë që “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në orët e vona të mbrëmjes ka inspektuar në terren funksionimin e radarëve edhe gjatë natës në disa akse rrugore.
Veliu ka komunikuar drejtpërdrejt me punonjësit e Policisë Rrugore që kryejnë shërbim me radar dhe me patrullat e tjera të policisë rrugore ku u ka kërkuar tolerancë zero, të mos tolerohet asnjë rast i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore e pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës.
Gjatë inspektimit tek mbikalimi në rrugën interurbane Tiranë- Elbasan, në segmentin Sauk-Teg te mbikalimi, Drejtor Veliu ka parë nga afër disa shkelje të përdoruesve të rrugës që qarkullonin me shpejtësi nga 133 km/orë deri në 170 km/orë.
Gjatë bisedës me punonjësit e Policisë Rrugore Drejtori i Përgjithshëm është shprehur se breda pak ditësh do jenë në dispozicion të Policisë Rrugore edhe 4 radarë të tjerë, kamera dhe mjete të pauniformuara për të patrulluar në të gjitha akset rrugore kryesisht në ato ku janë konstatuar edhe akisdente me pasoja fatale për jetën, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkelësi të kodit rrugor, kryesisht shpejtësi tej normave të lejura, parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, përdorim të celularit gjatë drejtimit të auotmjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse si dhe shkelje të semaforit.”
Jo më larg se dje në një konferencë shtypi, Rama paralajmëroi ndryshimet në nivelet e larta të Policisë nën emrin “ristrukturim”. Rama tha” “Policia jonë e Shtetit ka nevojë për mbështetje edhe më të madhe sa i përket teknologjisë, në ndërkohë, ristrukturimi i policisë në aspektin organizativ, edhe në burime njerëzore, edhe në drejtimin, që nga niveli i drejtuesve në qarqe e deri në nivele më të ulëta, është proces që ka nisur të diskutohet dhe të konceptohet. Besoj se do materializohet edhe më shpejt seç ishte planifikuar, pikërisht për të reaguar edhe ndaj kësaj situate. Sepse, pavarësisht fakteve dhe detajeve, edhe perceptimi ka një rëndësi shumë të madhe, sepse perceptimi krijon një atmosferë psikologjike të caktuar. Unë e kuptoj shumë mirë që atmosfera psikologjike, edhe falë ngarkesës së madhe emocionale që kanë pasur këto ngjarje, kanë nevojë për një lehtësim dhe për këtë, procesi i ndryshimeve në nivelet e larta të Policisë së Shtetit do bëhet më shpejt, sesa ishte i planifikuar. Por ishte i planifikuar.
