Kronikë

Pas videos në Fb, i riu nga Kurbini rrezikon burgun: Shkrehu automatikun në dasmë

Videoja e një të riu nga Kurbini, Klajdi Tafaj, 21-vjeç, që shtinte me automatic në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij nga një makinë në lëvizje, do ta çojë atë pas hekurave të burgut.

Tafaj e ka publikuar videon në rrjetet sociale disa ditë pas dasmës dhe nuk e ka pritur që Policia e Kurbinit ta kërkonte, ta identifikonte dhe të kërkonte ta arrestonte.

Tafaj u fsheh dhe tashmë Policia e ka shpallur në kërkim, ndërkohë që ka proceduar penalisht dhe kushëriri i tij për “Moskallëzim krimi”.

Nga ana tjetër, Policia ka gjetur automatikun me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

Policia e Kurbinit tha: “Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç-Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.

Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale.

Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë,  Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar,  për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”. 

Image
Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top