Një përleshje ka shpërthyer në Portin e Durrësit midis pasagjerëve që po presin prej dy ditësh për t’u nisur drejt Italisë dhe punonjësve të sigurisë dhe Policisë, pasi trageti të cilin ata prisnin nuk po vinte.

Pasi Policia procedoi tre prej pasagjerëve, emigrantë shqiptarë që po torturoheshin me orë në pritje me gratë dhe fëmijët me vete, Autoriteti Portual Durrës lëshoi njoftimin se sot nuk do të kishte nisje nga Porti i Durrësit drejt Ankonës.
Autoriteti Portual Durrës njoftoi në Fb se “në kushtet e mungesës së një trageti të linjave GNV dhe Adria Ferries, për shkak të defektit të pësuar në Itali, informojmë udhëtarët që kanë rezervuar lundrimet drejt Italisë se:
1. Sot NUK do të ketë nisje nga Porti i Durrësit drejt Ankonës, deri në një njoftim të dytë.
2. Ndërsa tragetet e linjës Durrës-Bari do vijojnë me lundrimet normalisht në këto orare:
Trageti “Rigel III”, AGJENCIA Ventouris/Duni, ora e nisjes nga Porti i Durrësit ora 13.00
Trageti “AF Marina”, Agjencia Adria Ferries/GNV ora e nisjes nga Porti i Durrësit ora 13.00
Trageti “Rigel II”, AGJENCIA Ventouris/Duni, ora e nisjes nga Porti i Durrësit ora 23:59
3. Për sa i përket lundrimeve të mbrëmjes me linjat Adria Ferries dhe GNV, oraret reja të nisjes janë si vijon:
Trageti “SAGA”, Agjencia Adria Ferries, ora e nisjes nga Porti i Durrësit ora 23.59
Trageti “AF Claudia”, Agjencia Adria Ferries, ora e nisjes nga Porti i Durrësit ora 23.59
Me qëllim shmangien e radhëve apo mbingarkesës në qarkullim brenda territoritit të Portit, Check-ini për këto dy lundrime do të mundësohet sot duke nisur nga ora 13:00.
Policia e Durrësit ndërkohë njoftoi se “proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit A. M, 50 vjeç, banues në Skrapar, A.G,52 vjeç, banues në Divjakë dhe Xh.D, 52 vjeç, banues në Shijak.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e djeshme, rreth orës 16:30, në lagjen nr.4, Durrës, pasi janë njoftuar se udhëtimi i tyre me traget ishte anuluar, kanë organizuar protestë në mënyrë të paligjshme, me pasagjerët e linjës, duke bllokuar lëvizjen e mjeteve në rrugë.”
Nga strukturat e DVP Durrës vijojnë hetimet për pronarët e kësaj linje udhëtimi, pasi nuk i kanë lajmëruar në kohë pasagjerët e tyre, për anulimin e udhëtimit. Ftojmë udhëtarët të kontaktojnë për çdo paqartësi me agjencitë ku kanë rezervuar biletat e udhëtimit, si dhe në linjën tonë të GJELBËR 0800 73 74 në funksion 24 h. Gjithashtu rikujtojmë udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve për detyrimin e tyre të respektojnë protokollet anti-Covid, distancat e sigurisë dhe mbajtjen e maskave në ambjentet e Portit dhe në bord të anijeve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Administrata Detare Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe @Autoriteti Portual Durrës po marrin masa që Operatorët e Trageteve të normalizojnë kalendarin e lundrimeve drejt Italisë përfshirë mundësinë për të siguruar zëvendësim apo shtesë anijesh, duke respektuar të drejtën e pasagjerëve për rimbursim në rast anullimesh sipas legjislacionit dhe standarteve të transportit detar.
