PD, LSI po dhe aktorë të tjerë po ngrenë gjithnjë e më shumë pretendime dhe po sjellin dëshmi për shkelje e anomali në zgjedhje. Ambasadori gjerman kërkon hetim të denoncimeve për krime zgjedhore. Raporti final i OSBE-ODIHR pritet të jetë vendimtar

Çdo ditë e më shumë po shtohen kërkesat për verifikimin e zgjedhjeve. Teksa Partia Demokratike, është stacionuar pranë KQZ dhe KZAZ-ve, për të mbledhur çdo provë të mundshme me qëllim përgatitjen e dosjes së ankimimit në KQZ dhe më pas në kolegjin zgjedhor, zërave kundërshtues iu është bashkuar dhe LSI, me anë të kryetares Monika Kryemadhi, e cila u shpreh se 70% e shqiptarëve kanë kërkuar ndryshim, por vota e shqiptarëve u tjetërsua nga bandat dhe oligarkët.
Ajo iu bëri thirrje komisionerëve në Berat, Korçë, Durrës ku mandatet e LSI-së sipas saj janë grabitur të qëndrojnë vigjilentë pasi vërehen vota të shpallura të pavlefshme të LSI, por që kanë kaluar në favor të PS-së. “Ju bëj thirrje të gjithë numëruesve dhe anëtareve të KZAZ-së të jenë vigjilentë sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, deri tani kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për Partinë Socialiste”, -tha Kryemadhi duke shtuar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe në Berat, apo Korçë ku mandatet e LSI janë humbur me diferenca të vogla, por votat kanë kaluar në favor të PS-së. Kryemadhi tha se duhet bërë një verifikim i votave që janë shpallur të pavlefshme. Ndërkohë ditën e djeshme është ndërprerë votimi në Durrës për shkak të mosmarrëveshjeve mes komisionerëve, për votat e pavlefshme, të cilat kanë kaluar në favor të PS-së.
Ndërkombëtarët
Por, parregullsitë në zgjedhje janë vërejtur dhe nga trupi diplomatik në Shqipëri. Ambasadori gjerman Peter Zingraf, kërkoi që akuzat për shitblerje votash të shqyrtohen menjëherë. Sipas tij, ata kanë lexuar me vëmendje raportin e parë të OSBE/ODHIR dhe presin atë final. “Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblerjen e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme. Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve”, -thotë Zingraf. Hetim të parregullsive ka kërkuar dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, e cila dhe kjo ashtu si zoti Zingraf, është në pritje të raportit final të OSBE/ODIHR. “Ne vërejmë raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe presim atë final, që duhet të përdoret për të përmirësuar më tej zgjedhjet e Shqipërisë. Ne përsërisim që zbatimi i ligjit dhe gjyqësori të ndjekin penalisht cilindo që shkeli ligjin dhe pengoi të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe”, shkruan ambasadorja në një status në rrjetet sociale. Ndërkohë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe ambasadori britanik Peter Duncan.
Denoncimet
Këto zgjedhje veç të tjerave, kanë një rëndësi të madhe për hapat e mëtejshëm të përafrimit me BE-në, ku negociatat me Shqipërinë po mbahen peng pikërisht për shkak të zgjedhjeve. Vetë opozita, po përgatit një dosje të cilën do e ankimojë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërsa vetë Basha, pritet të nisë një tur ndërkombëtar për t’i vënë në dijeni partnerët për gjithçka ndodhi në këto zgjedhje. Përdorimi i Administratës, persona të dyshimtë të angazhuar në krah të mazhorancës për shitblerje votash, deformimi i rezultatit për shkak të votave të pavlefshme, apo dhe vjedhja e databazës së të dhënave personale, pritet të jenë shtyllat e ankimimeve që do të përdorë opozita. Ditën e djeshme ka kërkuar serverin e kamerave mbikëqyrëse të KZAZ dhe qendrave të votimit, në të gjithë vendin edhe LSI-ja, e cila ka të njëjtat pretendime. Por, kamerat e vëzhgimit për qarkun e Tiranës janë kërkuar dhe nga ana e Partisë Socialiste me përfaqësuese Ermonela Felajn.
“Zgjedhjet u vodhën”, Berisha për situatën në PD: Duhen nxjerrë përgjegjësitë
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një status në Facebook, i cilëson zgjedhjet e 25 prillit si një ditë të zezë në historinë e demokracisë në Shqipëri. Sipas tij, këto zgjedhje ishin jodemokratike dhe të vjedhura. Në një analizë të gjatë, ish-kryeministri shpjegon se pse në këto zgjedhje, sipas tij, vota e lirë e shqiptarëve u dhunua para se të hidhej në kuti. Si arsye, Berisha liston drogën dhe kanabizimin e vendit, ndryshimet kushtetuese të cilat i cilëson si të njëanshme, ndërsa akuzon KQZ-në, Kolegjin, Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Gjykatat se në 98 për qind të vendimeve kanë qëndruar besnike të partisë në pushtet. Gjithashtu, Berisha sjell në vëmendje incidentin e 14 marsit në Elbasan, për të cilin ai thotë se personat e përfshirë nuk u vunë para përgjegjësisë që të ishin të lirë të kryenin “misionin e tyre kriminal” dhe kjo, shton më tej ish-kryeministri, solli edhe përgjakjen e Elbasanit më 21 prill.
Blerja e votës në këto zgjedhje, sipas Sali Berishës, ishte më masive se kurrë më parë. “Partia Doshi është vetëm një shembull i “industrializimit” të blerjes së votës për llogari të Edi Ramës sepse makineria më e madhe e blerjes së votës e këtij megakrimi elektoral qëndron në Partinë Socialiste. Kështu nga klanet Gjici, Frroku, Beqaj, Sterkaj, Ndreu, Ndreca, Malaj, Rraja, Ahmeti, Manastirliu, Balluku, Koka, Çyrbja, Balla, Gjiknuri, Brace, Peleshi, Klosi, Çuçi etj., janë shpenzuar për blerje votash me euro, ushqime, dhe favore të tjera së paku dhjetëfishi i shumave të shpenzuara nga Doshi për këtë qëllim”, shkruan ai në postimin e tij. Ndërsa, duke u ndalur te Partia Demokratike, Sali Berisha thotë se duhet një analizë e thellë tashmë për nxjerrjen e përgjegjësive mbi rezultatin nga cilido. Gjithashtu, ish-kryeministri shprehet se është jetike për vetë PD dhe vendin që të mblidhen prova dhe fakte që këto zgjedhje ishin jodemokratike dhe materialet t’u dërgohen institucioneve përkatëse të vendit dhe misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, por edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, Kongresit në SHBA etj.
Flet i shituri/ “Policia shpërndau lekët. Mora 200 mijë lekë për Ramën”
Një video-denoncim është bërë publik, ku një qytetar pranon se ka shitur votën e tij për 50 mijë lekë të vjetra. Qytetari tregon se i kanë dhënë 200 mijë lekë për 4 vota. Ai thotë se lekët janë shpërndarë me makinën e policisë, pasi policët nuk ka kush i ndalon kush. “Ka ardhë makina e policisë me lekë. Se nuk i ndalon kush policët. Kanë marrë bosat. Me makinë policie, i kam parë vetë. Edi Rama për Kishë të Laçit, e ka fitu me lekë se nuk e fitonte ndryshe. Unë 200 mijë lekë i mora për 4 votat e mia. Në korridor më ka ardhë dhe më tha, 200 mijë lekë për 4 vota. Të kish dalë tjetri me 55 mijë lekë, ia kisha dhënë atij tjetrit. Këtë e kam marrë nga Edi Rama, 4 copa”, -thotë qytetari.
