Një tjetër banor nga Zejmeni i Lezhës ka rrezikuar t’i vërë zjarrin fshatit për një grusht plehrash që vendosi të digjte. Policia e Lezhës e procedoi 67-vjeçarin L.M, që e bëri shkrum një siëprfaqe me barishte dhe pemë.

Sipas Policisë, L.M, banues në fshatin Zejmen ,Lezhë, ka ndezur zjarr në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave, po zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me barishte dhe peme në kodrën e fshatit.
Më 13 gusht, Policia arrestoi bashkëfshatarin e tij, 52-vjeçarin Petrit Leka, pasi zjarri me të cilin dogji mbeturinat pranë shtëpisë, çoi në djegien e një sipërfaqeje të madhe me barishte dhe kullota. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë u bëri apel banorëve që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital.
