Kronikë

Misteri i plagosjes së 34-vjeçarit që u paraqit në spital me plagë thike

Një 34-vjeçar është paraqitur dje në Spitalin e Traumës me plagë thike në pjesën e barkut, pa shpjeguar se kush e kishte goditur.

Ngjarja, sipas tij, kishte ndodhur rreth orës 14:40, në Rrugën e Barrikadave, por ai vetë pretendon se nuk e njeh personin që e ka sulmuar me një mjet prerës.

Burime nga Policia thanë se i plagosuri është Gerian Nano, 34 vjeç, dhe pasi mori ndihmën e parë mjekësore ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

“Më datë 25.08.2021, rreth orës 14:40, në Rrugën e Barrikadave, në rrethana ende të paqarta është dëmtuar me mjet prerës (thikë), shtetasi G. N. 34 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe si dhe identifikimin e kapjen e autorit”, tha Policia në njoftimin paraprak.

Megjithatë, rrethanat se si ka ndodhur ngjarja janë ende të paqarta për Policinë e Tiranës.

Policia ka ngritur grupin hetimor që ka kryer veprimet e para në vendin e ngjarjes, ku janë këqyrur edhe pamjet e disa kamerave sigurie të bizneseve të ndryshme në Rrugën e Barrikadave, me qëllim identifikimin e autorit të ngjarjes.

Por nga ana tjetër, kamerat po verifikohen edhe për të sqaruar rrethanat e sulmit, që nuk është shpjeguar qartë nga i plagosuri, i cili pretendon se nuk është në gjendje të flasë shumë për shkak të plagëve që ka marrë.

Për këtë arsye, është vendosur që ai të pyetet më hollësisht në një moment të dytë, kur gjendja e tij shëndetësore të jetë më e stabilizuar.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top