Kronikë

Me armë e skafandra, disa nga të arrestuarit me rroba gjumi, një armë e fshehur në brendësi të kolltukut, operacionit “Shpirti”

Disa nga të dyshuarit me rroba gjumi apo rroba shtëpie të befasuar ndërsa forca të shumta policie ia kanë mësyrë mëngjesin e sotëm në banesat e tyre, pas 28 urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK.

Për ekzekutimin e masave të sigurisë të dhëna nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit “SHPIRTI”, janë angazhuar 200 forca policore nga reparti special Renea, FNSH Tiranë e Fier, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Gjirokastër e Durrës.

Operacioni është zhvilluar në kushte të larta sigurie për forcat policore pjesëmarrëse, në të njëjtën kohë në të gjitha qarqet, për ekzekutimin e urdhrave të lëshuara nga Gjykata.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe rreth 60 mijë euro. Një prej armëve është gjendur në brendësi të një ulëseje.

Interpol Tirana dhe Fast Albania po bashkëpunojnë me homolgët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të këtij operacioni.

Edhe në këtë operacion Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm të lartë dhe besueshmëri te partnerët, e shprehur kjo edhe gjatë konferencës së përbashkët të zhvilluar paraditen e sotme në ambientet e SPAKU-t, nga krerët e policive dhe agjencive ligjzbatuese pjesëmarrëse në këtë operacion.

“Sigurojmë qytetarët dhe homologët se Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar maksimalisht për të punuar dhe bashkëvepruar me partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim parandalimin, evidentimin, hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar në cilëndo fushë që ai shfaqet”, thuhet në deklaratën e policisë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top