Sport

Kualifikim dramatik i Gjermanisë, Portugalia kalon grupin me barazimin ndaj Francës

Është mbyllur në barazim 2-2 sfida ndërmjet Gjermanisë dhe Hungarisë e luajtur në Mynih.

Ishte një ndeshje e “çmendur”, teksa hungarezët kaluan dy herë të parët në avantazh, por “Panzerat” arritën të reagonin në të dyja rastet.

Heroi i ndeshje ishte Leon Gorezka, i cili realizoi golin e dytë të barazimit vetëm pak minuta nga fundi i lojës duke kualifikuar më tej gjermanët.

Hungaria kaloi në avantazh me Szalai dhe më pas u mbrojt mirë përballë gjermanëve, duke e mbyllur 1-0 pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, ishte pikërisht Havertz që barazoi shifrat, për të hapur ndeshjen në Mynih, por pa kaluar dy minuta, Shafer shënoi për hungarezët duke i kaluar përsëri në avantazh.

Minutat e mbetura ishin si një dramë për gjermanët që krijuan më shumë lojë, por nuk po gjenin mundësinë për të dërguar topin në rrjetë dhe rrezikonin eliminimin.

Në fund, iu desh një gjuajtje e Goretzka pak minuta para mbylljes së ndeshjes që Gjermania të merrte një pikë që e kaloi në turin tjetër, ku tashmë e pret një përballje e vështirë ndaj Anglisë.

Francë-Portugali – Tre penallti, katër gola dhe shumë spektakël në sfidën mes Portugalisë dhe Francës në “Ferenc Puskas Arena”, me të dy skuadrat që u ndanë në barazim 2-2 dhe në fund festuan të dyja, pasi siguruan kalimin për në fazën e 1/8-ave.

Ndonëse jo në lartësinë e pritshmërive, kampionët në fuqi të botës e mbyllën grupin në krye me 5 pikë.

Në “Ferenc Puskas” u zhvillua një 90-minutësh nga më spektakolarët deri në këtë pikë të Euro 2020-ës, me Portugalinë që fitoi një 11-metërsh në minutën e 31-të pas një faulli të Lloris në zonë dhe nga pika e bardhë ishte kapiteni Critiano Ronaldo që gjuajti saktë, duke dërguar topin në rrjetë.

Në fundin e pjesës së parë Semedo ndali vrullin e Mbappe brenda zonës dhe arbitri spanjoll Lahoz nuk u kursye të vërshëllejë një tjetër penallti, të cilën këtë herë e shndërroi në gol Karim Benzema, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim 1-1.

Pjesa e dytë nisi vrullshëm për Francën, që gjeti menjëherë golin e avantazhit, teksa protagonist ishte sërish sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, që mori një pasim nga Pogba dhe mposhti për herë të dytë Rui Patricion.

Por kur kishin mbetur edhe 30 minuta lojë, luzitanët u shpërblyen me një tjetër penallti, të cilën e gjuajti sërish Ronaldo dhe e dërgoi saktësisht në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën, teksa rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

Shkruan historinë ylli portugez, që shkoi në kuotën e 109 golave me Portugalinë dhe u bë futbollisti me më shumë gola në nivel përfaqësueseje, duke parakaluar iranianin Ali Daei.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top