Kosove

Kosovë, rritje e ndjeshme e infektimeve, 90% me variantin Delta

Lëvizjet e mëdha të qytetarëve ditët e fundit dhe heqja e masave kufizuese po ndikon në rritjen e infektimeve në Kosovë. 90 % e të infektuarve janë të prekur nga varianti Delta i virusit korona.

Në Kosovë po shënon rritje dita-ditës numri i personave të infektuar me koronavirus. Vetëm nga fillimi i gushtit deri tani janë kryer 5 mijë e 272 testime dhe janë konstatuar mbi 2 mijë e 300 raste të reja infektimesh dhe 7 raste vdekjeje.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, IKSHPK, varianti Delta  i virusit korona po përhapet me shpejtësi prandaj IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen duke parë hezitimin në masë për procesin e vaksinimit. Sipas tyre studimet në vendet tjera ka treguar se personat me dy doza të vaksinës kanë qenë më të imunizuar në përballjen me variantin Delta të koronavirusit.

Vaksinimi parandalon vdekjet

“Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19. Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar.

Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrimin e pacientit në spital”, thuhet në sqarimin e IKSHPK-së, që njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe u sqaron se vaksinat nuk janë të rrezikshme.

Vaksina të miratura

“Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima. Asnjë nga vaksinat që janë në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina. Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

90% varianti Delta

Sipas zyrtarëve të këtij instituti, lëvizjet e mëdha të qytetarëve ditët e fundit dhe heqja e masave kufizuese po ndikojnë në rritjen e infektimeve. Sipas tyre 90 për qind e të infektuarve janë të prekur nga varianti Delta i virusit korona.

Kosova ka kohë që po vazhdon me procesin e vaksinimit, ndonëse me një ritëm jo të shpejtë. Deri më sot në Kosovë, me një popullsi prej 1.7 milionë banorësh, janë vaksinuar me dy doza 174 mijë vetë, ndërsa numri i përgjithshëm i vaksinave është 516 mijë doza.  

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top