Një 32-vjeçar nga Bangladeshi, M.N, u arrestua afër fshatit Derviçian në Gjirokastër nga Policia shqiptare dhe FRONTEX, pasi puna e tij ishte sjellja ilegalisht e refugjatëve nga Greqia në Shqipëri për të kaluar më pas drejt BE-së. Për këtë tranzit ai kërkonte 250 euro për person.

Policia e Gjirokastrës me Policinë Kufitare dhe FRONTEX zhvilluan operacionin
“Muzgu” dhe e arrestuan 32-vjeçarin nga Bangladeshi për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në periudha të ndryshme, ka transportuar emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, nga kufiri i gjelbër me Greqinë në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 250 euro për person.
Dosja e tij i kaloi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.
