Lajme

Izolimi s’e shmang dot valën e tretë të Covid në Francë, rritet numri i infektimeve në repartet e kujdesit intensiv

Të dielën në Francë u rrit numri i pacientëve të infektuar me koronavirus në repartet e kujdesit intensiv, njoftuan autoritetet shëndetësore franceze.

 Rritja ndodh edhe pse vendi është mbyllur në një përpjekje për të mënjanuar një valë të tretë infeksionesh me koronavirus.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se të dielën rezultonin 5,893 pacientë me koronavirus në pavionet e kujdesit intensiv, 16 më shumë se një ditë më parë.

Numri i pacientëve me COVID-19 në spitale u rrit me 460 duke arritur në 30,780, duke i dhënë fund rënies pesë ditore të rasteve. Një zëdhës i qeverisë ka thënë se ka shenja se është lehtësuar disi presioni ndaj sistemit mjekësor, por situata në spitale mbetet serioze.

Franca po shpreson se përshpejtimi i fushatës së vaksinimit, i kombinuar me mbylljen mbarëkombëtare një mujore, që u vu në zbatim një javë më parë, do të ndihmojë atë vend të rimarrë kontrollin ndaj shpërthimit të infeksioneve.

Zyrtarët e shëndetit njoftuan për 140 të vdekur nga koronavirusi nëpër spitalet e vendit në një hark kohor prej 24 orësh. Të enjten, numri i përgjithshëm i të vdekurve në Francë arriti në 100 mijë, duke e rendituar atë në vendin e tetë në botë për rastet më të larta.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë për 29,344 raste të reja infektimesh. Rreth 12.5 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë vaksine kundër koronavirusit.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top