Kronikë

I kërkuar në Turqi, hyn në Sarandë me pasaportë false: 10 milion lekë garanci turkut, për ta liruar!

Gjykata e Sarandës ka lënë të lirë një shtetas turk kundrejt garancisë 1 milionë lek (të reja), por edhe me detyrimin që çdo javë, ditën e hënë, ora 13.00, të paraqitet në Prokurorinë e Sarandës.

Turku M.K, 38-vjeç, në 20 gusht, rreth orës 8.40 zbriti në Sarandë me tragetin e linjës që vinte nga Korfuzi. 38-vjeçari me banim në Stamboll dorëzoi në sportel një pasaportë që rezultoi “Alert”.

Ai u justifikua se e kishte deklaruar pasaportën të humbur por e kishte gjetur sërish. Megjithatë Policia vazhdoi hetimin dhe rezultoi se pasaporta ishte shpallur në kerkim nga Interpol Ankaraja.

Sipas Interpolit, ajo nuk ishte lëshuar për turkun M.K por për një shtetas tjetër, i cili e kishte deklaruar të humbur. Madje 38-vjeçari M.K rezulton person në kërkim kombëtar në Turqi dhe në informacionin e përcjellë nga Interpol ishte dhe krahasimi i fotove, i turkut që posedonte aktualisht pasaportën dhe i atij që realisht e kishte humbur atë.

Policia e Sarandës arrestoi të dyshuarit për “falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”.

4 ditë më vonë, Gjykata e Sarandës vendosi masën e sigurisë “garanci pasurore 1 milion lek” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore çdo javë, ditën e hënë ora 13.00”. Gjyqtar i çështjes ishte Alban Veçani. Masa e sigurisë është marrë pardje, në 24 gusht.

Gjykata i la afat deri në dt. 29 gusht, turkut për të paguar garancinë dhe deri në pagesë duhet të qëndrojë në masën “Arrest me burg”.

Vitet e fundit është vënë një tendencë në rritje e shtetasve turq për të hyrë në mënyrë të paligjshme në Sarandë përmes rrugëve detare, kryesisht me pasaporta të falsifikuara përmes trageteve ose të fshehur nëpër jahte e veliera. Ka pasur raste që ata kanë ardhur edhe me gomone në Sarandë.

Ardhjet e tyre të dyshimta shpesh kanë rezuluar të lidhura me trafikun e drogës, ku shumë gomone apo veliera janë kapur ose në Greqi ose në Turqi, të ngarkuar me marijuanë të nisur nga brigjet e Sarandës.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top