Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Ibrahim Licin, si autorin kryesor të vrasjes së 32-vjeçarit Endri Mustafa.

Por kush është Ibrahim Lici?
Ibrahim Lici rezulton një emër i njohur për policinë, pasi dyshohet se është përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Ai dyshohet se ka qenë autori kryesor i vrasjes së vëllezërve Bilali, një tjetër ngjarje që tronditi qytetin verior pak vite më parë.
Gjithashtu, Ibrahim Lici është arrestuar më herët nga policia si “truri” i një bande gjobëvënësish ndaj tregtarëve, ku në pranga përfunduan nëntë persona, si pjesë e këtij grupi kriminal.
Ibrahim Lici është djali i Mustafa Licit, anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës. Këtij të fundit i ekzekutuan në një atentat në gusht të vitit 2018 të vëllanë, Fatbardh Licin, ngjarje kjo e ndodhur në qendër të Shkodrës, ndërsa më herët në janar, iu bë atentat me tritol Lul Kullës, kunatit të Fatbardh Licit, të cilit ai i mbijetoi.
