Gazetari i njohur në fushën e Rendit dhe Ligjit, Artan Hoxha, ka komentuar operacionin e fundit të antimafias italiane dhe SPAK, “Shpirti”, pas të cilit u arrestua një prokurorë, një zyrtar i lartë i policisë dhe dy shoqëruesit e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Hoxha ka treguar se si është njohur me një nga të penduarin kryesorë e drejtësisë që ndihmoi në këtë operacion, skafistin Mariglen Shusha si dhe ka kërkuar që të bëhet një hetim më i thellë nga SPAK pasi lidhjet e narkotrafikut me zyrtarë të lartë të shtetit janë më të mëdha.
“Edhe prokurori edhe nën/drejtori nuk mund të shkojnë thjesht për shpërdorim detyre, pasi është grup i strukturuar. Njëri nga skafistët është nga Fieri, e kam njohur Mariglen Shusha, ka folur i pari, ai ka ngarkuar në Palasë, Radhimë, Seman, Kavajë dhe Velipojë, se ai atë punë di të bëjë.
Pjesa që duhet të bëjë prokuroria është që këto lidhjet që thotë ai në Shqipëri duhet të shkojë më tej, pasi nuk do të dilnin këto 4 grupe, por më shumë. Pritshmëritë i kam më të mëdha, jo te ato dy ish-truprojat që janë bishti i kavallit”, tha ai.
Artan Hoxha lëshoi akuza të drejtpërdrejta edhe për prokurorët shqiptarë duke deklaruar, se gomonia me të cilën u trafikua kanabisi drejt Italisë ishte sekuestruar dhe liruar më herët nga autoritetet shqiptare.
“Kush i pezulloi hetimet për 12 ton që u kap në Përmet? Në rastin konkret u kap një ngarkesë 808 kg në Vlorë, këta që kemi ne tani, e dini cfarë ka ndodhur? Skafisti u lirua, është i penduar sot në Itali, gomonia u kthyer mbrapsht.
Si është e mundur që gomonia u kthye prapë dhe doli sërish në trafik, e ka firmosur edhe prokurori i çështjes dhe i krimeve të rënda, të hetohen”, tha gazetari Hoxha për mediat.
