Eshtë publikuar fotoja e Sokol Çelajt 58 vjeç nga fshati Reç i Malësisë së Madhe, i cili ka mbetur i vdekur pas një atentati pak metra larg shtëpisë së tij mbrëmjen e djeshme.

Mësohet se, ai ka qenë në një mjet tip Benz ML së bashku me bashkëshorten e tij në momentin që një person ka qëlluar 8 herë në drejtim të tyre.
Viktima kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia, ku jetonte prej 25 vitesh. Mësohet se 58-vjeçarit i është zënë pritë në afërsi të banesës së tij. Sapo është futur në një rrugë të pa asfaltuar, një person i ka dalë para dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi. Nga plumbat mbeti i vdekur në vend Sokol Çelaj, ndërsa në makinë me të ishte edhe bashkëshortja e tij, e cila ka treguar se autori i krimit po i priste i fshehur në zonën e pyllëzuar.
Policia po heton lidhur me ngjarjen ndërsa ende nuk ka një pistë kryesore për shkaqet e këtij krimi.
Policia e Malësisë së Madhe/ Informacion paraprak
Më datë 26.08.2021, rreth orës 22:50, në fshatin Reç, Malësi e Madhe, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi S. Ç. i cili ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij.
Shtetasi S.Ç, pasi është transportuar në spitalin e Shkodrës ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.

