Partizani u kthye te fitorja, por më shumë rigjeti golat dhe lojën e bukur.

Të kuqtë e kryeqytetit kërkojnë të mos jetë vetëm një shkëndijë, ndërsa për trajnerin Ilir Daja, paraqitja e fundit kundër Bylis duhet të jetë shembulli se si skuadra e tij duhet të luajë ndeshjet në sprintin final të sezonit. “Me Bylisin kemi qenë në lartësinë e duhur në të gjithë komponentët. Besoj se ajo që ka qenë e dukshme në raport me ndeshjet e tjera ka qenë se ekipi ka bashkëpunuar në grup dhe ishin altruistë për njëri-tjetrin.

Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë që kanë të gjithë lojtarët për të marrë rezultatin. Mendoj që një tjetër gjë pozitive ishte që shënuan të tre sulmuesit që ishin titullarë dhe besoj që të njëjtën frymë dhe mënyrë loje duhet të kemi edhe nesër ndaj Kastriotit për të shkuar te fitorja”, ka thënë tekniku. Prova e radhës për Partizanin është ajo e së shtunës kundër Kastriotit. Asnjë nënvlerësim nga Daja, që kërkon edhe nga futbollistët e tij të bëjnë të njëjtën gjë.
