Sport

Europiani i Minifutbollit, kapiteni Hysenbelliu: Shorti s’është i lehtë, por futemi për trofeun

Pas shortit për Kampionatin Europian të Minifutbollit “Sllovaki 2022”, është prononcuar edhe kapiteni i Kombëtares kuqezi, Fatmir Hysenbelliu.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hysenbelliu ka komentuar shortin dhe kundërshtarët e Shqipërisë në këtë eveniment. Ai gjithashtu tregon edhe objektivat, duke theksuar se mentaliteti mbetet i njëjtë si në rang klubesh ashtu edhe te përfaqësuesja, ku si gjithnjë synohen objektiva madhorë. Hysenbelliu gjithashtu flet edhe për zhvillimin e minifutbollit në vendin tonë, që ka pasur një impakt të rëndësishëm edhe në Kombëtare.

Cilat janë përshtypjet e para mbi shortin?
Përshtypjet e para janë që nuk kemi të bëjmë me një short të lehtë. Por për të arritur sa më lart në Europian, ashtu siç pretendojmë, ku dhe do të tentojmë ta fitojmë, normalisht që do të përballesh me çdo skuadër.

275692179 4566120223494367 4640655372807175731 N

Sa i njihni kundërshtarët?
Rumania është një skuadër e fortë, sepse e ka shumë të zhvilluar minifutbollin dhe në Champions kanë gjithnjë ekipet që renditen në vend të parë, të dytë, të tretë apo të katërt. Pra, kanë gjithmonë ekipe të forta, por ne kemi treguar se dimë të fitojmë kundër tyre me klubet. Por edhe na kanë mundur me diferencë të ngushtë golash. Kështu që, jemi në një nivel që mund t’i mposhtim. Për sa i përket Azerbajxhanit, është një ekip që nuk e njohim shumë, por çdo skuadër që vjen në Europian është kombëtare dhe duhet vlerësuar. Ndërsa me Spanjën kemi luajtur vetëm një herë në Champions në rang klubesh dhe i kemi mundur. Spanja është një emër i madh si kombëtare, por në rang përfaqësuesesh nuk jemi ndeshur ndonjëherë. Tani duhet që çdo ndeshje ta marrim me seriozitetin maksimal. Rëndësi ka që të shkojmë me një qëllim dhe të stërvitemi gjatë këtyre muajve që kanë mbetur, për të qenë sa më të përgatitur në këtë kompeticion.

Cilët janë objektivat e Shqipërisë në Europian?
Objektivat tanë janë gjithmonë maksimalë. Siç kemi qenë me skuadrën në Champions, ashtu do të jemi edhe më Kombëtaren. Nëse me ekipin kemi arritur të tregojmë nivelin tonë, me Kombëtaren i kemi përmirësuar rezultatet, por akoma nuk jemi aty ku duhet. Kombëtarja ka potencial dhe me shtimin e lojtarëve në këto vite, ekipet janë bërë më të forta, programet stërvitore janë bërë më të mira, gjithashtu kampionati është edhe më konkurrues. Kështu që, tani të gjithë këta lojtarë duhet t’i bashkojmë bashkë dhe të jemi një ekip për të arritur sa më lart. Gjithmonë synimi ynë është për të fituar, por duhet të marrim gjithçka ndeshje pas ndeshjeje. Të kalojmë fillimisht grupin, për t’i shkuar më pas deri në fund. Jemi shumë ambiciozë dhe nëse jemi të gjithë të bashkuar, asgjë nuk është e pamundur. Synimi ynë është gjithmonë fitimi i trofeut, pasi nuk shikojmë disnivel midis nesh dhe ekipeve të tjera.

Kohët e fundit Kombëtarja po zhvillon edhe grumbullime. Si e keni parë grupin?
Grumbullimet janë diçka shumë e mirë. Nëse më parë përgatiteshim një javë para kompeticioneve, tani përgatitjet i fillojmë 2 apo 3 muaj para. Mblidhemi një apo dy herë në javë për stërvitje e ndeshje dhe kjo është diçka shumë pozitive, për të krijuar grupin, pasi elementët janë. Por ndeshjet nuk fitohen me individët, por me grupin. Mund të them se ekipin e shikoj shumë mirë.

Hysenbelliu

Pak ditë më parë zhvilluat edhe një ndeshje miqësore me Malin e Zi, ndërsa të premten keni një tjetër test me ta. Sa të rëndësishme janë këto ndeshje?
Deri më tani kemi zhvilluar një miqësore ndaj Malit të Zi, takim të cilin e dominuam me raste dhe me lojë, por eksperienca e pakët, pasi këtë vit kemi mbi 80% të skuadrës lojtarë të rinj, bëri që të fitonte kundërshtari. Por në ndeshjen e radhës ndaj tyre do të tregojmë që jemi përmirësuar. Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme. Bëhet fjalë për miqësore, por realisht janë takime zyrtare. Të gjithë nga ne do të luajnë dhe shpresoj që edhe lojtarë të tjerë që nuk janë pjesë e Kombëtares, të mblidhen në të ardhmen, duke treguar ndeshje pas ndeshjeje cilësitë e tyre, për të spikatur te trajnerët. Të gjithë duan që të jenë pjesë e 15 lojtarëve që do të shkojnë në Europian, një eveniment i madh, me ndeshje që do të luhen në një stadium me kapacitet prej më shumë se 20 mijë tifozësh. Bëhet fjalë për nga kompeticionet më të mëdha të viteve të fundit për minifutbollin. Një sport që për herë të parë është bërë në 2012-ën, por që është rritur shumë. Ne vijmë me më shumë eksperiencë dhe ndeshjet miqësore na ndihmojnë shumë, sepse kanë ritëm tjetër. Këtë javë kemi Malin e Zi dhe javën tjetër Kosovën.

Në raport me vitet e kaluara, çfarë ka ndryshuar në Kombëtaren e minifutbollit?
Ka ndryshuar shumë, duke filluar që nga kampionati, nga kërkesa, stafi apo lojtarët. Kombëtarja është përmirësuar dhe ka evoluar. Tani jemi akoma edhe më të kompletuar dhe do të plotësohemi më shumë edhe në të ardhmen. Kemi më shumë staf, përgatitje, bazë materiale, lojtarë dhe kampionate. Të gjitha këto kanë bërë që edhe konkurrenca të jetë më e madhe. Futbollistë të Superiores apo Kombëtares që e kanë lënë futbollin marrin pjesë në kampionate, duke e kthyer minifutbollin në Shqipëri në një aktivitet shumë të rëndësishëm. E gjithë kjo e ndihmon edhe Kombëtaren që të jetë në nivel sa më të lartë. Edhe stafi është në vështirësi më të madhe për të zgjedhur lojtarët, ndryshe nga më parë, kur numri i futbollistëve ishte më i pakët. Tani nuk di kë të marrësh, sepse ka shumë lojtarë, të cilët janë vërtet shumë të mirë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top