Kronikë

EMRAT/ Shtëpitë e barit në Londër, shkak i atentatit ndaj Tajar Fetiut në Berat

Dalin detaje të reja nga dosja hetimore e atentatit me armë zjarri të 24-vjeçarit Tajar Fetiu në Berat.

Atentati me armë ndodhi pak pas mesnatës së 19 Gushtit në lagjen “Dëshmorët e Kombit, ku në vendin e quajtur “Kinoklubi”, dy atentatorët i kishin zënë pritë Tajar Fetiut dhe i qëlluan atij me 6 plumba pistolete në rrugicën e shtëpisë.

Burime brenda grupit hetimor bëjnë me dije se,pas atentatit dy autorët e ngjarjes së rëndë u larguan fillimisht në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe më pas kanë dalë nga qyteti me dy automjete. Të identifikuar nga policia si: Arnold Azizolli dhe Amarildo Dule, 2 atentatorët e Fetiut kanë dalë të pashqetësuar nga Berati me dy automjetet luksoze në pronësi të tyre, njëri i tipit Range Rover dhe tjetri Volsvagen Touareg.

Sipas burimeve, mjetet e tyre janë kapur nga kamerat e sigurisë të bizneseve në autostradën Lushnje-Tiranë dhe mendohet se ata kanë kaluar kufirin shqiptar.

Po kështu, mësohet se hetimet në lidhje me atentatin e rëndë janë përqendruar në pazaret e prishura të drogës mes të rinjve dhe borxhet e pashlyera mes tyre. Tre të rinjtë kishin jetuar disa muaj bashkë në Angli ku edhe kishin punuar në disa shtëpi bari. Më pas atentatori Arnold Azizolli ishte shpërngulur në Belgjikë ku jeton prej disa kohësh dhe Tajar Fetiu mësohet se i kishte borxh një shumë të madhe parash nga puna e jashtëligjshme me drogë në qytetin e Londrës në Angli.

Të rinjtë ishin kthyer për pushime në Shqipëri dhe disa ditë para ngjarjes ata ishin konfliktuar për borxhin e papaguar në një lokal në lagjen “Uznovë” në Berat, ku jo vetëm ishin konfliktuar me fjalë, por edhe ishin rrahur fizikisht. Ditën e ngjarjes 24-vjeçari Tajar Fetiu kishte shkuar në lokalin ku rrinin atentatorët Azizolli e Dule dhe kishte hyrë në lokal me një automatik tip kallashnikov, me qëllimin për ti goditur, por nuk i ka gjetur aty.

Pasi kanë mësuar nga miqtë se Fefiu kishte shkuar me automatik për ti qëlluar, dy të rinjtë i kanë dalë në pritë po atë natë dhe e kanë qëlluar Fetiun me pistoletë. 2 plumbat e pistoletës e kanë prekur të riun në bark, duke e rrëzuar përtokë.

Ai u transportua fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat në gjendje të rëndë dhe më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Pasi është pyetur nga grupi hetimor, mësohet se Fetiu ka deklaruar se nuk i ka njohur atentatorët dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm me askënd.

Policia është duke punuar për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e dy atentatorëve: Arnold Azizolli, 30 vjeç dhe Amarildo Dule, 30 vjeç, të dy të shpallur në kërkim policor pas ngjarjes.

I plagosuri dhe dy atentatorët nuk kanë pasur precedentë të mëparshëm penal në Shqipëri.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top