Kronikë

Dosja e Vajdin Lames/ Si u arrestua kapoja e bandës së ‘5 dyqaneve’

Operacioni “Asgjë nuk harrohet” vazhdon. I radhës që ka rënë në prangat e Policisë është një emër thuajse i harruar nga Policia dhe prokuroria, ndërsa ka dalë në hetimet e SPAK, teksa janë verifikuar pretendimet e dëshmisë së Luftar Reçit për vrasjen e Vajdin Lamajt.

Ndonëse zyrtarisht Policia e Shtetit hesht për prangosjen e tij, janë të dhëna konfidenciale që bëjnë me dije se arrestimi i një tjetër bashkëpunëtori në krimin e rëndë të vrasjes së Lamajt është realizuar nga RENEA. Bëhet fjalë për korçarin Elton Goskova, një person që është shënuar në regjistrat e Policisë që nga koha e largët e vitit 1997.

Për veprimtarinë e tij kriminale, dihet pak, pasi aktivitetin e realizoi, sipas të dhënave, si anëtar i një prej bandave më me emër në zonën e Korçës, ndërkohë që dëshmia e Reçit mbi dy ngjarjet e shkurtit të vitit 2005 në Tiranë dhe Durrës e ka kthyer sërish në skenë Goskovën, i njohur me nofkën “Reçi”. Ajo për të cilën dyshohet ky person, sipas të dhënave hetimore, është fakti që prej shumë muajsh ai ka marrë përsipër ndërhyrjen te dëshmitari i drejtësisë, Luftar Reçi, që të ndryshojë dëshminë për personat e arrestuar. Sipas burimeve, mësohet se “Reçi” i Korçës është mbajtur në përgjim dhe vëzhgim prej shumë kohësh, duke e konstatuar informacionin që është marrë për rolin e tij në tentativën për të manipuluar dëshmitarin, me qëllim tërheqjen e dëshmisë për personat që janë nën akuzën e vrasjes së Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe të Klodian Saliut.

Të dhënat tregojnë se korçari është i njohur dhe mik me të gjithë personat që janë nën akuzën e SPAK për ato dy vrasje, por ende nuk bëhen të ditura detaje zyrtare për arrestimin e tij. Mësohet se operacioni është në vazhdim për të sjellë në pranga edhe persona të tjerë, të cilët nuk dihet nëse kanë lidhje me ato dy ngjarje apo për raste të tjera.

“Reçi” i Korçës

Elton Goskova mësohet se tashmë është në moshën 48- vjeçare. Ai është akuzuar herët si personi që ka drejtuar një prej bandave më famëkeqe në Juglindje të vendit, “5 dyqanet”. Në të dhënat që kanë shoqëruar ekzistencën e të gjitha bandave që lindën kryesisht në vitin ‘97 dhe më pas, ky grup kriminal u tha se lindi si nevojë kundërvënieje ndaj bandës së “Çobanëve”. Përplasjet që nisën në Korçë dhe rrethina u shpërndanë edhe në bashkëpunim me organizata të tjera, pretendonin hetuesit e asaj kohe, ndërkohë që emri i Goskovës doli nga “qarkullimi”. Ai më pas u tha se lëvizi në drejtim të Europës, ku të dhënat tregojnë se ai u vu në pranga për akuza të rënda në Itali. Madje edhe u dënua për shfrytëzim prostitucioni, por në vendin tonë, që prej asaj kohe, emri i tij nuk është bërë më publik nga Policia për sa i përket përfshirjes së tij në ndonjë aktivitet kriminal.

Burime policore tregojnë se emri tij ka dalë përgjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, pas dëshmisë që ka dhënë Luftar Reçi, dëshmi që bëri të rihapej një prej dosjeve më të bujshme e lënë në “mëshirë të fatit” nëpër zyrat e prokurorive të ndryshme, njëherë tek ajo e Tiranës dhe më vonë te Krimet e Rënda.

Pritet që në ditët në vijim SPAK të japë detaje të reja në lidhje me hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut, për të cilat në pranga dhe nën akuzë janë vënë emra të njohur të botës së krimit në vend. Për ato dy vrasje me tre viktima janë nën akuzë Viktor Ymeri me Emiljano Shullazin për rastin e Lamajt dhe të Arsit, ndërkohë që për vrasjen e Klodian Saliut, vrasje që ka ndodhur 26 orë pas vrasjes së Lamajt, janë vënë nën akuzë të gjithë kapot e bandës së Durrësit, tre në pranga dhe dy persona janë në kërkim. Ndërkohë që personi që i lidh krejt ngjarjet dhe emrat me njëri-tjetrin është Luftar Reçi, nën statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Image
Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top