Policia e Sarandës ka ndaluar me inisiativë pak ditë më parë një tjetër të mitur lidhur me nje plagosje të ndodhur në Sarandë në 20 gusht.

Për plagosjen e B. A u arrestua fillimisht O. H 16-vjeç, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” me afat 1 muaj.
Por në datën 23 gusht, një kërcënim ka mbërritur në adresë të një tjetër të mituri, i cili ndodhej ne vendin e ngjarjes i shoqëruar nga i plagosuri B. A.
I mituri D. B ka kallëzuar se duke komunikuar në rrjete sociale me 17-vjeçarin M. P nga fshati Gjashtë i Sarandës, ky i fundit i ka thënë: “Jo 20 veta të vini, por 30 veta të vini, unë do t’ju pres me thikë dhe do ju rreshtoj si rreshtova B. A”.
Këtë bisedë ai e ka regjistruar dhe të permbledhur në një CD elektronike, e ka dorëzuar përpara oficerit të Policisë Gjyqësore.
Në vijim te hetimeve lidhur me ngjarjen, janë pyetur shtetasit D. B dhe O. J. Ata kanë deklaruar se gjatë kohës që ishin në bulevard me shtetasin B. A., drejt tyre kanë shkuar shtetasit O. H dhe M.P dhe të dy këta persona kanë goditur me thikë shtetasin B. A. Po kështu dhe ky i fundit, i ripyetur, ka deklaruar se ka qënë dhe shtetasi M. P. që e ka goditur me thikë në pjesën e kofshës.
Policia ka kryer ndalimin me inisiative të këtij të fundit për veprat penale “plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “kanosje” dhe në datën 26 gusht ai ka dalë për masë sigurimi para Gjykatës së Sarandës.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “garanci pasurore 300.000 lekë të reja” dhe “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, dy herë në muaj, ditën e martë, të javës së parë dhe të tretë, ora 13:00”.
