Një operacion i gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave po zhvillohet ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Drejtorisë së Hetimit Antimafia Italiane, ku si rezultat janë lëshuar 38 urdhër-arreste, nga këta 10 persona të arrestuar më parë.

Sipas mediave italiane, arrestimet po kryhen në Shqipëri, Itali, Spanjë dhe në Mal të Zi, ndërsa po ashtu është urdhëruar edhe konfiskimi i disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, që kapin vlerën e disa miliona eurosh.
Kanë qenë dëshmitë e 4 bashkëpunëtorëve të drejtësisë të cilët kanë dhënë më shumë informacione, duke ndihmuar autoritetet italiane dhe ato shqiptare në goditjen e këtij rrejti kriminal.
Përveç fenomenit të korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave, u zbardh i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të drogës në lidhje me kultivimin, prodhimin, grumbullimin, magazinimin dhe dërgesën në brigjet e Puglias.
Ndërkohë bëhet me dije se në lidhje me këtë operacion, janë lëshuar urdhër-arreste edhe në Vlorë, por ende nuk ka më shumë detaje.
Operacioni antidrogë po zhvillohet nga Anti-Mafia italiane, SPAK dhe Policia e Shtetit.
Operacioni italo-shqiptar është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias Italiane të Barit, ku u arrestuan 37 persona, u sekuestruan 40 milionë euro drogë, 4 milion euro asete si prona, automjete e para cash.
Pritet që Prokurori i Antimafias italiane, De Raho dhe kreu i SPAK, Arben Kraja të zhvillojnë një konferencë për shtyp në orën 10:30, për të dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë operacion të gjerë.
Report Tv mëson se në kuadër të operacionit antidrogë Shqipëri-Itali janë vënë në pranga prokurorë, drejtues policisë si dhe zyrtarë. Nga 38 urdhër-arrestet, 28 të arrestuar nga SPAK në Shqipëri, 10 të arrestuar më herët.
Bazat e grupit kriminal të goditur janë në Vlorë, Kavajsë, Tepelenë, Lazarat dhe në Tiranë. Grupi kriminal vijonte trafikun e drogës edhe pas goditejs së dy operacioneve të mëparshme.
