Presidenti amerikan, Joe Biden, i kërkoi presidentit të larguar të Afganistanit, Ashraf Ghani, që të krijojë idenë se talebanët nuk po fitojnë.

Në një bisedë të publikuar nga Reuters, Biden i kërkoi presidentit afgan që të krijojë perceptimin se qeveria e tij është në gjendje që të rezistojë ndaj talebanëve.
Gjithçka ndodhi teksa presidenti amerikan e dinte se rënia e Afganistanit ishte çështje kohe. Megjithatë, Biden u tha amerikanëve se kjo gjë nuk do ndodhë.
Katër javë përpara se Kabuli të binte në duart e talebanëve, Ghani kishte kërkuar më shumë mbështetje nga ajri dhe më shumë para për ushtarët, që nuk kishin marrë një rritje page prej një dekade.
Në transkriptin e bisedës, Biden duket më i fokusuar te mënyra se si do përçohet mesazhi në botë.
“Nuk është nevoja të të them se gjërat nuk po shkojnë mirë sa i përket luftës kundër talebanëve. Po ashtu është e nevojshme, nuk ka rëndësi nëse është e vërtetë apo jo, që të projektojmë një panoramë tjetër,” tha Biden.
Por ndërsa gjërat ishin krejt ndryshe në Afganistan, Biden u thoshte gjëra të tjera amerikanëve. “Nuk mendoj se ndokush e kishte parashikuar diçka të tillë,” tha ai në një intervistë.
Biden kishte deklaruar publikisht se largimi i amerikanëve nga Afganistani do linte pas një situatë të qetë.
