Kronikë

Arrestohen fermerë të Lezhës, Mirditës , Korçës e Dropullit, që dogjën qindra ha pyje dhe kullota

Policia e Lezhës, e Mirditës dhe ajo e Dropullit, kanë bërë arrestimin e banorëve të zonave, fermerë që ishin nisur për të djegur plehrat në oborret e tyre dhe më pas, nga pakujdesia, flakëtu  kanë marrë përmasa të mëdha duke djegur qindra ha pyje dhe kullota.

Policia e Lezhës arrestoi 52-vjeçarin Petrit Leka nga Zejmeni i Lezhës, pasi zjarri me të cilin dogji mbeturinat pranë shtëpisë, çoi në djegien e një sipërfaqeje të madhe me barishte dhe kullota. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit i cili rrezikonte disa banesa dhe lokale, si dhe automjetet, pasi ishte anës rrugës kryesore në aksin Lezhë-Milot.

Policia e Mirditës ka arrestuar 66-vjeçarin Preng Luçia nga fshati Gjakëz, pasi zjarri që ndezi në oborrin e tij doli jashtë kontrollit dhe dogji një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz të Mirditës.

Policia e Lezhës po ashtu procedoi penalisht 70-vjeçaren Gjyste Vata nga Balldreni, e cila, pasi ndezi zjarr në kanalin kullues, s’e ndali dot më dhe dogji një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre, Lezhë.  Policia e Lezhës tha se janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur rastet e zjarrvënies.

Ndërsa në jug të vendit, Policia e Gjirokastrës ka proceduar dy persona, që kanë shkaktuar zjarr dhe kanë djegur toka në fshatin Radat dhe Memaliaj.

Policia e Dropullit procedoi penalisht V.O, banues në fshatin Radat të Dropullit, pasi gjatë punimeve me troho në bahçen e tij, shkaktoi zjarr. Si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi në rrethinat e fshatit Radat.

Po ashtu, Policia e Memaliajt procedoi M. B., 51 vjeç, banues në fshatin Memaliaj, pasi duke djegur disa barëra në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe toke.

Policia e Shtetit bëri apel sërish për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin dhe ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bëri të ditur se arrestoi dy të rinj që dyshohet se dogjën një sipërfaqe pyjore në fshatin Gjonomadh: Arbër Xhaxhamani, 18 vjeç dhe Taulant Bardholari, 22 vjeç, banorë të këtij fshati. Ata, tek “Korija e fshatit” Gjonomadh, këta shtetas, kanë djegur me zjarr sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme dhe tani akuzohen  për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Policia e Beratit procedoi penalisht shtetasin B. Sh, banues në Berat, pasi në lagjen “Donika Kastrioti”, ka shkaktuar zjarr nga pakujdesia dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bar si dhe A. K, 28 vjeç, pasi në vendin e quajtur mali Partizan, ka shkaktuar zjarr me një cigare duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.  

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

To Top