Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy administratorët e dy kompanive, që kishin porositur banane në kontejnerin, ku u gjetën 143 kg kokainë.

Dy administratorët e kompanisë ‘Masabi Fruits’, Klajdi Xibraku dhe Erion Peti, të arrestuar të shtunën nga policia, kanë dalë ditën e sotme para gjykatës. Në kontenierin me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të tyre, u gjet një sasi prej 143 kg kokainë e ndarë në 200 pako.
Të dy të arrestuarit, të cilët janë edhe kushërinj me njëri-tjetrin, kanë mohuar që të kenë lidhje me trafikun e drogës. Ata thanë pas arrestimit se operonin në fushën e importit të frutave prej 5 vitesh dhe çdo javë prisnin kontenierë nga Amerika Latine, ndërsa mohuan se kanë lidhje me trafikun e drogës.
Policia dyshon se ngarkesa prej 143 kg drogë ka ardhur në Shqipëri për llogari të 3 grupeve të ndryshme kriminale. Policia ka sekuestruar telefonat celular të dy të arrestuarve si edhe gjithë dokumentacionin e kompanisë.
Në fillim të muajit mars, ngarkesa ishte futur në kontenier dhe më pas është ngarkuar në anijen “MSC MIRRELLA” në portin Guayaquil në Ekuador. Nga Ekuadori ngarkesa ka përfunduar në portin e Panamasë të quajtur Rodman, ku është ngarkuar në anijen e transportit “MSC NAOMI” dhe është nisur drejt Italisë për të kaluar tranzit në portin e “GIOIA TAURO” në Kalabri.
Në këtë port, kontenieri bashkë me anijen kanë qëndruar pak më shumë se një javë. Më pas është nisur me anijen “Contiship” drejt portit të Pireut në Greqi dhe nga andej dje në mëngjes ka mbërritur në Shqipëri. Në Greqi është nisur drejt Shqipërisë me anijen “Dance”. Pasi ka lënë ngarkesën në Durrës anija ka pasur destinacion final portin e Tivarit në Malin e Zi.
Droga ishte fshehur në tavanin e kontenierit e ndarë në 200 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrime përcaktuese si dhe fotografinë e trafikantit famëkeq Pablo Escobar. Në pakot e kokainës ishte shkruar në spanjisht ‘El Mejor” (më e mira) dhe ‘Viejon’ (i moshuar).
